Historiku i Bashkësisë Kulturore Fetare Shqiptare në Norvegji (BKFSHN)
Iniciativa për themelimin e xhamisë u mor gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit në tetor të vitit 2003. Pas përfundimit të Ramazanit, u mbajt një mbledhje në Shoqatën e Shqiptarëve në Fjell, ku u formua një grup iniciues prej gjashtë vetash. Ky grup u angazhua për të regjistruar zyrtarisht Bashkësinë pranë autoriteteve shtetërore norvegjeze.
Grupi hartoi statutin, dokumentacionin dhe kërkesat e nevojshme që kërkoheshin nga organet shtetërore. Regjistrimi zyrtar u finalizua më 18 dhjetor 2003 pranë organeve shtetërore rajonale të Norvegjisë.
Qëllimet kryesore të hapjes së xhamisë ishin:
1. Të krijohej një pikë e përbashkët për bashkimin e shqiptarëve.
2. Të ruhej dhe promovohej Islami, gjuha shqipe, kultura dhe integrimi.
3. Të kontribuohej për një shoqëri të shëndetshme dhe harmonike.
4. Të prezantoheshin vlerat kulturore dhe fetare aty ku jetojmë.
Fillimi i aktiviteteve
Lokali i parë i xhamisë u hap në fillim të Ramazanit të vitit 2004, me një pjesëmarrje masive të anëtarëve. Ky lokal ndodhej në Håfgorsgata 15, Drammen.
Blerja e pronës së re
Në vitin 2009, Bashkësia bleu një lokal të ri në Engene 70, ku ndodhet edhe sot. Ceremonia solemne e hapjes u mbajt më 9 prill 2009, ku morën pjesë mysafirë nga Bashkësia Islame e Kosovës dhe përfaqësues nga të gjitha xhamitë shqiptare të regjistruara në atë kohë.
Lokali u pagua plotësisht në vitin 2012, duke e bërë atë pronë të përhershme të Bashkësisë.
Zgjerimi
Në vitin 2018, Bashkësia bleu një banesë pranë xhamisë, e cila u financua me para të gatshme, duke forcuar më tej kapacitetin dhe infrastrukturën për anëtarët e saj.
Bashkësia Kulturore Fetare Shqiptare në Norvegji mbetet një pikë kyçe për ruajtjen e identitetit shqiptar dhe për ndërtimin e një ure të fortë mes vlerave kulturore, fetare dhe jetës në shoqërinë norvegjeze.